PPSH

OPEN ALL
Çfarë është Defender Trophy?
Çfarë përfshin Konkursi dhe cili është Shpërblimi?
A është kjo një garë?
Kush mund të marrë pjesë?
Cilat janë kriteret e pranueshmërisë?
A duhet të jem atlet për të aplikuar?
Jam me aftësi të kufizuara/ndryshe, a mund të aplikoj?
A do të transmetohet në televizion?
Kur do të mbahet konkursi?
Ku do të mbahet finalja botërore?
Përse po e organizoni pikërisht tani?
Cilat vende do të marrin pjesë?
Unë jam nga një vend që nuk renditet më sipër. A mund të marr pjesë?
Sa fitues do të jenë?

JAGUAR LAND ROVER LIMITED

SFIDA DEFENDER TROPHY - TERMAT DHE KUSHTET

Këta Terma dhe Kushte (“Termat dhe Kushtet”) zbatohen ndaj Sfidës Defender Trophy (“Konkursi”), që do të mbahet ndërmjet muajit qershor 2025 dhe tetor 2026 (“Periudha e Konkurrimit”).

TERMAT DHE KUSHTET

1. Nëpërmjet pjesëmarrjes në Konkurs, ju konfirmoni pranimin dhe dakordimin me Termat dhe Kushtet.

2. Konkursi promovohet dhe menaxhohet nga Jaguar Land Rover Deutschland GmbH, Campus Kronberg 7, 61476 Kronberg, LRhilfe@jaguarlandrover.com ("Organizatori”).

3. Këta Terma dhe Kushte zbatohen deri në masën e lejuar me ligj, prandaj, ju lutemi t’i lexoni me kujdes përpara pjesëmarrjes suaj.

4. Termat dhe Kushtet rregullohen nga dhe interpretohen në përputhje me legjislacionin Gjerman. Palët bien dakord në mënyrë të pakthyeshme se gjykatat e Gjermanisë kanë juridiksionin ekskluziv për trajtimin e mosmarrëveshjeve apo pretendimeve të mundshme, që vijnë apo lidhen me këta Terma dhe Kushte dhe me Konkursin.

A MUND TË MARR PJESË NË KONKURS?

5. Pjesëmarrja në konkurs është pa pagesë (nuk nevojitet blerje).

6. Në përputhje me pikën 7, konkursi është i hapur për këdo që përmbush kriteret e pranueshmërisë në pikën 8 më poshtë dhe që është rezident në Zvicër, Poloni, Finlandë, Estoni, Letoni, Lituani, Izrael, Ukrainë, Suedi, Norvegji, Islandë, Rumani, Turqi, Gjibraltar, Danimarkë, Kroaci, Slloveni, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Hungari, Bullgari, Greqi, Republikën Turke të Qipros Veriore, Maltë, Moldavi, Qipro ose Irlandë në momentin e aplikimit dhe përgjatë periudhës së konkurrimit.

7. Përpara aplikimit, ju lutemi të vini re:

a) Konkursi përfshin sfida jashtëzakonisht të vështira në aspektin fizik dhe mendor; drejtimin e automjeteve të Organizatorit në të gjitha kushtet e motit dhe sfida të tjera të paparashikuara, që janë jashtë kontrollit të Organizatorit, që përfshijnë rreziqe të shtuara për dëmtimin e pjesëmarrësve dhe sendeve në pronësi të tyre. Prandaj, nëse një pjesëmarrës përzgjidhet për të qenë pjesë e konkursit, do t’i kërkohet të nënshkruajë deklarata dhe lejime shtesë (duke përfshirë, por pa u kufizuar, deklarata shëndetësore dhe lejim për përdorimin e imazheve); dhe

b) Si pjesë e konkursit, pjesëmarrësit duhet të jenë të përgatitur që të jetojnë në ambient të jashtëm për deri në 21 (njëzet e një) ditë bashkërisht me pjesëmarrësit e tjerë, në kushte atmosferike dhe terrene që mund të jenë të ashpra dhe të vështira;

c) Konkursi mund të jetë i papërshtatshëm dhe jo i rekomandueshëm për personat që vuajnë nga probleme me shpinën ose qafën apo zemrën (ose nga probleme shëndetësore të ngjashme). Ai mund të jetë i papërshtatshëm edhe për gratë shtatzëna. Organizatori rekomandon që pjesëmarrësit të konsultohen me një mjek ose profesionist mjekësor të kualifikuar përpara pjesëmarrjes, për t’u siguruar se janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe gati për t’u bërë pjesë e konkurrimit. Organizatori mund të kërkojë prova të konfirmimit shëndetësor nga pjesëmarrësit; dhe

d) Pjesëmarrësit duhet të jenë të përgatitur për të gjitha kushtet atmosferike dhe do të jenë përgjegjës për të siguruar veshjet e duhura, mjetet dhe pajisjet e nevojshme për skenarët e mundshëm ekstremë të motit (duke përfshirë, por pa u kufizuar: veshje kundra ujit, shtresa veshjeje të ngrohta, këpucë mbrojtëse dhe të përshtatshme për ecje dhe ngjitje, krem dielli, etj.). Këto nuk do të mundësohen prej Organizatorit.

KËRKESAT PËR PJESËMARRJEN

8. Për të qenë i pranueshëm, çdo pjesëmarrës duhet:

a) të plotësojë formularin e pjesëmarrjes brenda datës 10 mars 2026.

b) të jetë në gjendje të notojë të paktën 50 (pesëdhjetë) metra pa mjete ndihmëse dhe pa asistencë;

c) të provojë se mund të komunikojë në anglisht, pasi ajo do të jetë gjuha e konkursit, për të kuptuar udhëzimet e detajuara dhe për të ndarë komente dhe vërejtje me pjesëmarrësit e tjerë në situata që mund të jenë të rrezikshme, ku komunikimi i saktë, i menjëhershëm dhe i qartë është thelbësor;

d) të jetë në gjendje fizike dhe mendore të përshtatshme për të drejtuar mjete motorike dhe të jetë në gjendje shëndetësore fizike dhe mendore të mirë, pasi konkursi përfshin një sërë sfidash me vështirësi fizike dhe mendore. Shikimi i pjesëmarrësit duhet të jetë në përputhje me kërkesat ligjore të Rregulloreve për lejen e drejtimit;

e) të jetë 23 vjeç e sipër për shkak të kërkesave të sigurimit të Organizatorit dhe të ketë një leje drejtimi të vlefshme (të kategorisë B ose leje drejtimi të huaj të barasvlershme, me

autorizimin përkatës), me vlefshmëri ndërkombëtare. Pjesëmarrësve do t’u kërkohet të paraqesin lejen e drejtimit tek Organizatori, ndaj duhet të sigurohen që ta kenë me vete në të gjitha aktivitetet e lidhura me konkursin;

f) të kalojë me sukses kontrollin verifikues të lejes së drejtimit, që do t’u dërgohet pjesëmarrësve nëpërmjet linkut të internetit;

g) të jetë në gjendje të udhëtojë ndërkombëtarisht, nëse zgjidhet si finalist (siç përcaktohet më poshtë);

h) të zotërojë një pasaportë ndërkombëtare të vlefshme dhe të mos ketë kufizime hyrjeje në vende të tjera, pasi finalja e konkursit do të mbahet në një vendndodhje ndërkombëtare, që do të njoftohet nga Organizatori gjatë periudhës së konkurrimit. Pjesëmarrësit e suksesshëm do të jenë përgjegjës për sigurimin e vizave dhe vaksinave përkatëse (duke përfshirë edhe dokumentet e tjera të kërkuara për të udhëtuar); dhe

i) të mos jetë me precedent penal.

9. Pjesëmarrësit e mëposhtëm nuk janë të lejuar të marrin pjesë në konkurs: a. kushdo që nuk përmbush kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në pikën 8 më lart; b. punonjësit (me orë apo të përhershëm), kontraktorët e pavarur ose praktikantët që punojnë për Organizatorin dhe/ose partnerët e tij (duke përfshirë, por pa u kufizuar, Jaguar Land Rover Limited) në momentin e aplikimit dhe gjatë Periudhës së Konkurrimit; c. palët e treta, punonjësit (me orë ose të përhershëm), kontraktorët e pavarur, praktikantët ose vullnetarët që punojnë apo kanë lidhje me një kompani të angazhuar kryesisht në prodhimin, shitjen ose shpërndarjen e mjeteve motorike; dhe/ose d. kushdo që vuan nga një problem i shëndetit fizik ose mendor, që mund t’i kufizojë apo cenojë përqendrimin ose aftësinë e drejtimit të mjeteve.

10. Me aplikimin për t’u bërë pjesë e konkursit, pjesëmarrësit pohojnë se janë të kualifikuar për të marrë pjesë. Vendimi nëse një kërkesë pjesëmarrjeje është përmbushur ose jo merret vetëm nga Organizatori dhe ajo mund të refuzohet edhe gjatë procesit të konkurrimit. Organizatori mund të kërkojë prova ose konfirmim nga pjesëmarrësit përpara ndarjes së çmimeve.

11. Konkursi fillon më 17 dhjetor 2025 dhe përfundon më 10 mars 2026 (“Data e Mbylljes”). Aplikimet e paraqitura pas Datës së Mbylljes do të skualifikohen automatikisht.

12. Pjesëmarrësit mund të paraqesin deri në 1 (një) aplikim të vlefshëm. Aplikimet shtesë nuk do të merren parasysh dhe nuk do të mund të jenë fituese.

13. Konkursi kërkon akses te: një telefon celular; llogari e-mail; kompjuter dhe akses në internet, që nuk mundësohen nga Organizatori.

14. Organizatori rezervon të drejtën të skualifikojë çdo aplikim që nuk përputhet me Termat dhe Kushtet apo nëse sjellja e një pjesëmarrësi gjatë periudhës së konkurrimit bie ndesh me frymën ose synimin e konkursit.

 

SI KRYHET APLIKIMI

15. Për t’u pajisur me formularin e aplikimit (të përcaktuar më poshtë), të gjithë pjesëmarrësit duhet të shprehin interesin e tyre duke plotësuar formularin e shprehjes së interesit “Keep me inspired", në adresën: https://albania.landrover.com/defender-trophy-form ("Shprehja e Interesit"). Dorëzimi i formularëve do të pranohet duke filluar nga data 1 tetor 2025. Pas dorëzimit të formularit të aplikimit, pjesëmarrësit e pranueshëm do të marrin një formular aplikimi të personalizuar. Ky formular aplikimi, duke përfshirë një video (të përshkruar më në hollësi në formularin e aplikimit), duhet t’i dorëzohet Organizatorit brenda datës 10 mars 2026. Pas kësaj date nuk do të pranohet asnjë dorëzim.

16. Organizatori do të dërgojë një link për të marrë pjesë në konkurs në adresën e e-mailit të përcaktuar nga pjesëmarrësit në formularin e Shprehjes së Interesit, brenda datës 10 mars 2026.

17. Në varësi të pikave 15 dhe 16, të gjithë pjesëmarrësit e ftuar që të marrin pjesë në konkurs pas shprehjes së interesit të tyre duhet të plotësojnë formularin e pjesëmarrjes dhe ta dorëzojnë atë sipas mënyrës së njoftuar, brenda datës 10 mars 2026. Gjatë procesit të dorëzimit, formularit të aplikimit duhet t’i bashkëngjitet edhe një video, ku pjesëmarrësi demonstron njohjen e gjuhës angleze. Kjo do të kryhet nëpërmjet tri pyetjeve, të cilave pjesëmarrësi duhet t’u përgjigjet në anglisht në video. Pyetjet do t’i bëhen paraprakisht me dije pjesëmarrësit nga Organizatori.

18. Vetëm aplikimet që kanë përgjigje të plota, që janë plotësuar saktë dhe janë dorëzuar do të konsiderohen si aplikime të vlefshme.

19. Nëse, për çfarëdo arsye, ndodh një ndërprerje teknike, avari pajisjeje, keqfunksionim telefonik, defekt rrjeti, serveri, pajisjeje ose programi kompjuterik, gabim në faqen e internetit apo problem me postën dhe konkursi nuk mund të zhvillohet sipas planifikimit, apo aplikimet nuk mund të merren ose dorëzohen në mënyrë të vlefshme, apo akordimi i çmimit (i përcaktuar më poshtë) nuk është i mundur, Organizatori rezervon të drejtën ta anulojë, ndërpresë, modifikojë ose pezullojë konkursin nëse është e nevojshme.

20. Organizatori nuk merr përsipër asnjë përgjegjësi për aplikimet e paplota apo që humbasin, ngatërrohen, dëmtohen ose vonohen (pavarësisht shkakut) dhe këto aplikime nuk do të konsiderohen të vlefshme. Organizatori nuk do të pranojë konfirmim dërgese apo transmetimi si provë të marrjes së aplikimit në konkurs.

21. Pjesëmarrësit (dhe rrjedhimisht “Konkurrentët Lokalë”) nuk lejohen që, në asnjë moment gjatë konkurrimit, të përdorin slogane politike apo gjuhë homofobe, imazhe me natyrë të papërshtatshme apo seksuale, imazhe që përfshijnë logot dhe reklamat e markave konkurrente dhe asgjë tjetër që mund të konsiderohet marketing konkurrues apo abuzim i Organizatorit dhe/ose Jaguar Land Rover Limited, përmbajtje shpifëse, fyese, të paligjshme, vulgare, ofenduese apo të papërshtatshme ose që cenon të drejtat e të tjerëve (duke përfshirë të drejtat e pronësisë intelektuale) apo që reflekton negativisht ndaj Organizatorit dhe/ose Jaguar Land Rover Limited. Çdo pjesëmarrës bie dakord dhe pranon se shkelja e kësaj pike do t’i shkaktojë Organizatorit dhe Jaguar Land Rover Limited dëme dhe humbje të konsiderueshme.

22. Organizatori rezervon të drejtën ta anulojë, ndërpresë, modifikojë ose pezullojë konkursin nëse është e nevojshme.

RAUNDI I PARË I KONKURSIT

23. Një grup i caktuar pjesëmarrësish, të cilët kanë plotësuar me sukses formularin e aplikimit dhe kanë dorëzuar videon e kërkuar, do të zgjidhet nga të gjitha aplikimet e vlefshme nga një panel ekspertësh, që përfshin specialistë nga fushat e aktiviteteve dhe marketingut, pas përfundimit të procesit të aplikimit deri më 30 prill 2026 (“Konkurrentët Lokalë”).

24. Numri i Konkurrentëve Lokalë do të jetë deri në 108 (njëqind e tetë). Përzgjedhja e Konkurrentëve Lokalë nga juria është përfundimtare.

25. Konkurrentët Lokalë do të kontaktohen me e-mail dhe/ose telefon sipas të dhënave të kontaktit të përcaktuara në formularin e aplikimit dhe do t’u kërkohet të konfirmojnë: se pranojnë ftesën për të konkurruar në aktivitetin e përzgjedhjes lokale; se përmbushin kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në pikat 8 dhe 9 të këtyre Termave dhe Kushteve; dhe se janë të disponueshëm të konkurrojnë në Finalen Botërore (të përcaktuar në pikën 31). Nëse një nga Konkurrentët Lokalë nuk është në gjendje të konfirmojë ndonjë prej të dhënave të mësipërme brenda 14 (katërmbëdhjetë) ditëve, Organizatori rezervon të drejtën t’ia refuzojë vendin në Aktivitetin e Përzgjedhjes Lokale dhe t’ia ofrojë atë një pjesëmarrësi tjetër, sipas gjykimit të vet të plotë.

26. Çdo pjesëmarrës ka përgjegjësinë të sigurohet se të dhënat e kontaktit të vendosura në formularin e aplikimit janë të sakta për qëllimin e njoftimit të përcaktuar në pikën 25.

27. Emrat dhe imazhet e konkurrentëve lokalë mund të publikohen në kanalet e mediave sociale të Organizatorit, sipas gjykimit të plotë të këtij të fundit.

28. Konkurrentëve Lokalë do t’u kërkohet të marrin pjesë në Aktivitetin e Përzgjedhjes Lokale në datën që do të konfirmohet në Les Comes (Spanjë), ku do të marrin pjesë në një sërë sfidash aventureske.

29. Fluturimet, akomodimi në hotel dhe ushqimi për konkurrentët lokalë gjatë aktivitetit të përzgjedhjes lokale do të organizohen dhe mbulohen nga Organizatori dhe/ose Importuesi. Këto shërbime do të zgjidhen dhe vendosen në dispozicion ekskluzivisht nga Organizatori ose Importuesi. Termi “Importues” i referohet kompanisë që operon në vendin tuaj në lidhje me automjetet JLR dhe që është e vendosur në një prej vendeve të renditura në pikën 6 të Termave dhe Kushteve në fjalë. Kjo është njëkohësisht edhe kompania që ju ka dërguar linkun e Formularit të Pjesëmarrjes për këtë aktivitet.

Konkurrentët Lokalë nuk pritet që t’i kryejnë vetë rezervimet apo të përdorin shërbime vetjake, pasi këto nuk do të rimbursohen. Konkurrentëve Lokalë u mohohet shprehimisht e drejta e rimbursimit të kostove të udhëtimit, akomodimit dhe ushqimit që i kanë kryer vetë. Përndryshe, Organizatori dhe Importuesi nuk do të mbulojnë asnjë shpenzim tjetër lidhur me pjesëmarrjen e konkurrentëve lokalë në aktivitetin e përzgjedhjes lokale dhe Organizatori nuk është përgjegjës për organizimin e aktiviteteve në fjalë

FINALJA BOTËRORE

30. Deri në 36 Konkurrentë Lokalë të suksesshëm do të zgjidhen si finalistë nga një panel ekspertësh në aktivitetin e përzgjedhjes lokale (“Finalistët”). Finalistët do të zgjidhen sipas gjykimit të plotë të panelit të ekspertëve në përputhje me kriteret e tyre të përzgjedhjes dhe vendimi i marrë është përfundimtar.

31. Finalistët do të konkurrojnë në finalen botërore të konkursit kundër finalistëve të tjerë nga mbarë bota në tetor të vitit 2026 në një vendndodhje ndërkombëtare sekrete, që do të njoftohet nga Organizatori në muajin gusht 2026 (“Finalja Botërore”).

32. Organizatori do t’i ndajë Finalistët në ekipe për të konkurruar në Finalen Botërore. Megjithatë, Finalistët do të gjykohen individualisht dhe jo si ekip. Formimi i ekipit do të vendoset vetëm nga Organizatori. Organizatori mund t’i ndryshojë anëtarët e ekipit në çdo kohë gjatë Finales Botërore.

33. Finalistët mund të skualifikohen nga Finalja Botërore në çdo kohë sipas gjykimit të plotë të panelit të ekspertëve. Finalistët e skualifikuar nuk do të kenë mundësi të konkurrojnë në Finalen Botërore dhe as të fitojnë konkursin.

34. Organizatori do të kryejë të gjithë organizimin e nevojshëm të akomodimit, udhëtimit, veshjeve të posaçme, pajisjeve teknike dhe kateringut/ushqimit për t’u mundësuar Finalistëve pjesëmarrjen në Finalen Botërore dhe do të mbulojë kostot përkatëse (në varësi të politikës së Organizatorit për udhëtimin dhe shpenzimet).

35. Në përputhje me pikën 34, Finalistët janë përgjegjës për organizimin e të gjithë artikujve dhe shpenzimeve të tjera, duke përfshirë, por pa u kufizuar: vizën përkatëse, pasaportën, vaksinimin, sigurimin për udhëtimin dhe kostot edhe shpenzimet shoqëruese. Finalistët pranojnë dhe bien dakord se Organizatori nuk do të jetë përgjegjës për asnjë kosto dhe/ose shpenzim (përveç atyre të dakorduara në pikën 34) për pjesëmarrjen në Finalen Botërore.

FITUESIT DHE ÇMIMI

36. Në përputhje me pikën 33, fituesit do të zgjidhen prej finalistëve të mbetur nga një panel ekspertësh në përfundim të Finales Botërore në Datën e Mbylljes (“Fituesit”).

37. Në përputhje me pikën 32, fituesit do të zgjidhen individualisht dhe jo si ekip. Me qëllim shmangien e dyshimit, nga një ekip mund të zgjidhen disa fitues, por nuk do të shpallen fitues të gjithë anëtarët e ekipit.

38. Fituesit e përcaktuar nga paneli i ekspertëve do të jenë përfundimtarë dhe sipas gjykimit të plotë të panelit.

39. Fituesit do të përcaktohen dhe shpallen në Finalen Botërore dhe çmimet do të ndahen personalisht. Fituesit mund të shpallen edhe nëpërmjet kanalit në YouTube “Defender” të Jaguar Land Rover Limited, sipas gjykimit të plotë të Jaguar Land Rover Limited.

40. Çdo Fituesi do t’i akordohet çmimi. Çmimi përfshin dhënien e mundësisë për fituesit që të marrin pjesë në një ekspeditë në vendin ku do të zhvillohet Finalja Botërore, si ekip, duke ofruar ndihmë jetike për kauza domethënëse dhe vënien në zbatim të gjithçkaje të përvetësuar gjatë konkurrimit, në tetor 2026 (“Çmimi”).

41. Nuk ka çmime alternative dhe Çmimi është i patransferueshëm, i panegociueshëm dhe i parimbursueshëm në para. Çmimi nuk mund të tërhiqet nga një palë e tretë në emër të një fituesi.

42. Nëse Organizatori konstaton më pas se një fitues është i papranueshëm apo se ka shkelur këta Terma dhe Kushte, apo nëse dyshohet për sjellje të pandershme ose joetike në përputhje me këta Terma dhe Kushte, Organizatori rezervon të drejtën të mos ia akordojë Çmimin fituesit në fjalë dhe të zgjedhë një prej finalistëve të tjerë si fitues.

43. Nëse çmimi i ofruar është i padisponueshëm, i anuluar ose i pezulluar për shkak të rrethanave jashtë kontrollit të Organizatorit, Organizatori nuk mund të ofrojë çmim alternativ dhe nuk mban përgjegjësi kundrejt fituesve. Fituesit nuk do të kenë të drejtë për asnjë kompensim monetar të barasvlershëm apo kompensim për kostot dhe shpenzimet e hasura ose të pësuara në lidhje me pranimin e çmimit.

44. Fituesit pranojnë se çmimi mund të anulohet ose pezullohet për çfarëdolloj arsyeje jashtë kontrollit të Organizatorit.

45. Në rast se një nga Fituesit nuk është në gjendje të pranojë çmimin për çfarëdo arsye, duhet ta njoftojë menjëherë Organizatorin për këtë. Në këto rrethana, Organizatori rezervon të drejtën t’ia ofrojë çmimin një finalisti tjetër. Organizatori nuk merr përsipër asnjë përgjegjësi nëse një fitues nuk është në gjendje të pranojë çmimin.

46. Fituesit pranojnë dhe bien dakord se Organizatori nuk është përgjegjës për asnjë kosto dhe/ose shpenzim (duke përfshirë, por pa u kufizuar, taksat) të lidhura me pranimin e Çmimit.

47. Në të gjitha rastet, vendimi i Organizatorit është përfundimtar dhe nuk do të pranohet asnjë korrespondencë në lidhje me të.

48. Gjatë pjesëmarrjes në ndarjen e çmimeve, fituesve nuk u lejohet të përdorin slogane politike apo gjuhë homofobe, imazhe me natyrë të papërshtatshme apo seksuale, imazhe që përfshijnë logot dhe reklamat e markave konkurrente dhe asgjë tjetër që mund të konsiderohet marketing konkurrues apo abuzim i Organizatorit dhe/ose Jaguar Land Rover Limited, përmbajtje shpifëse, fyese, të paligjshme, vulgare, ofenduese apo të papërshtatshme ose që cenon të drejtat e të tjerëve (duke përfshirë të drejtat e pronësisë intelektuale) apo që reflekton negativisht ndaj Organizatorit dhe/ose Jaguar Land Rover Limited. Çdo pjesëmarrës bie dakord dhe pranon se shkelja e kësaj pike do t’i shkaktojë Organizatorit dhe Jaguar Land Rover Limited dëme dhe humbje të konsiderueshme.

REGJISTRIMET DHE PUBLICITETI

49. Si kusht për pjesëmarrjen në Konkurs, të gjithë pjesëmarrësit do të duhet të shfaqen në fotografi dhe filmime promovuese nga Organizatori gjatë dhe pas pjesëmarrjes së tyre në konkurs dhe në çmim dhe, prandaj, do t’u kërkohet të nënshkruajnë një deklaratë për materialet filmike, që do t’u shpërndahet të gjithë pjesëmarrësve/konkurrentëve lokalë nga Organizatori gjatë ose përpara aktivitetit të përzgjedhjes lokale. Me nënshkrimin e formularit, të gjithë pjesëmarrësit/Konkurrentët Lokalë bien dakord se Organizatori ka të drejtën të përdorë të gjitha materialet publicitare përkatëse në çdo formë dhe mënyrë që Organizatori e gjykon të përshtatshme.

50. Të gjithë pjesëmarrësit duhet të dokumentojnë përvojën e tyre me procesin e konkurrimit nga momenti i njoftimit për përzgjedhjen si Konkurrentë Lokalë deri në momentin e eliminimit nga konkursi ose, nëse përcaktohen si fitues, deri në përfundim të çmimit. Pjesëmarrësit duhet të dokumentojnë përvojën e tyre me procesin e Konkursit nëpërmjet fotografive dhe regjistrimeve video, që do të përdoren nga Organizatori për të promovuar dhe paraqitur Konkursin, në çdolloj forme në mbarë botën dhe për një periudhë kohore të pacaktuar (“Përmbajtja e Krijuar nga Përdoruesit”);

51. Në përputhje me pikën 50 më sipër, pjesëmarrësit dhe fituesit bien dakord se Organizatori dhe Jaguar Land Rover Limited do të kenë të drejtën të kenë një licensë mbarëbotërore ekskluzive dhe të pakthyeshme ndaj Përmbajtjes së Krijuar nga Përdoruesit, për ta përdorur dhe autorizuar përdorimin e saj, duke përfshirë, por pa u kufizuar, në faqet e internetit dhe kanalet në mediat sociale, në faqet e internetit të palëve të treta (ose pjesë të tyre) që janë nën kontrollin e Jaguar Land Rover Limited ose agjencive përkatëse (duke përfshirë, por pa u kufizuar, Instagram, Twitter, TikTok dhe YouTube), rrjetet sociale dhe portalet dhe në aktivitetet e Organizatorit, Jaguar Land Rover Limited ose të partnerëve të autorizuar dhe në deklaratat për shtyp për një periudhë të pacaktuar.

PËRGJEGJËSIA

52. As Organizatori, as Jaguar Land Rover Limited dhe as filialet, agjentët, drejtorët, shitësit e autorizuar, franshizat, sponsorët apo punonjësit përkatës nuk do të mbajnë përgjegjësi (deri në masën e lejuar me ligj) për asnjë humbje ose dëmtim ndaj një pjesëmarrësi dhe/ose pronës së tij, që vjen si pasojë e pjesëmarrjes në konkurs, në lidhje me çmimin ose përdorimin e tij apo nëse Konkursi nuk zhvillohet sipas planifikimit. Këtu nuk përfshihen dëmet që vijnë si pasojë e lëndimit jetik, të gjymtyrëve apo shëndetësor të shkaktuar nga shkelja e qëllimshme ose neglizhuese e detyrës nga palët e mësipërme, apo dëmet e tjera të shkaktuara nga shkelja e qëllimshme ose neglizhuese e rëndë e detyrës apo shkelja e detyrimeve kontraktuale thelbësore (detyrimet parësore). Në rastin e shkeljes së lehtë neglizhuese të detyrimeve kontraktuale thelbësore, përgjegjësia kufizohet në masën e dëmit të parashikueshëm, të zakonshëm për këtë lloj kontrate. Çdo përgjegjësi tjetër përjashtohet.

53. As Organizatori, as Jaguar Land Rover Limited dhe as filialet, agjentët, drejtorët, shitësit e autorizuar, franshizat apo punonjësit përkatës nuk do të mbajnë përgjegjësi (deri në masën e lejuar me ligj) për asnjë kosto mjekësore, riatdhesimi ose shkakësore të lidhur me një sëmundje apo dëmtim të një pjesëmarrësi, fituesi dhe/ose pale të tretë gjatë procesit të konkurrimit dhe/ose gjatë udhëtimeve të nevojshme.

54. Organizatori mund t’i ndryshojë këta Terma dhe Kushte ose ta anulojë konkursin sipas gjykimit të vet të plotë dhe pa marrë përsipër përgjegjësi si rrjedhojë, përveçse kur çmimi është akorduar.

INFORMACIONI PËR MBROJTJEN E TË DHËNAVE

55. Me pjesëmarrjen në këtë konkurs, ju (qoftë si pjesëmarrës, konkurrent lokal dhe/ose fitues) kuptoni se Organizatori (dhe agjentët, kontraktorët, Importuesi (kompania që operon në vendin tuaj në lidhje me automjetet JLR dhe që është e vendosur në një prej vendeve të renditura në pikën 6 të Termave dhe Kushteve në fjalë, që është njëkohësisht edhe kompania që ju ka dërguar linkun e Formularit të Pjesëmarrjes për këtë aktivitet), dhe anëtarët e grupit (në veçanti Jaguar Land Rover Limited, Abbey Road, Whitley, Coventry, CV3 4LF, MB, 0370 500 0500; Jaguar Land Rover Deutschland GmbH, Campus Kronberg 7, 61476 Kronberg, Gjermani, 00800 3386 7049, jaghilfe@jaguarlandrover.com; Jaguar Land Rover Austria GmbH, Fasaneriestraße 35, A-5020 Salzburg, Austri,+43 662 21 21-0, info3@jaguarlandrover.com; Jaguar Land Rover Italia S.p.A., Viale Alessandro Marchetti, 105 – 00148 Romë, +39 06658531, jlricrc@jaguarlandrover.com; Jaguar Land Rover France, Tour Défense Plaza, 23 Rue Delarivière Lefoullon, 92800 PUTEAUX, +33(0)1 70 65 30 09, crclr@jaguarlandrover.com; Jaguar Land Rover Espana S.L.U, Calle del Puerto de Somport 21-23, Kati IV, Edificio Monteburgos A, 28050 Madrid, 00800-33867050, jlrcaces@jaguarlandrover.com; Jaguar Land Rover Portugal Veículos e Peças Lda., Edifício Escritórios do Tejo, Rua do Polo Sul, n.º 2 – 3.º B-3, Parque das Nações, 1990-273 Lisbonë 00800–33867050, jlrcacpt@jaguarlandrover.com; Jaguar Land Rover Nederland, Briggs Premium Offices, Van Deventerlaan 31-51, 3528 AG Utrecht, Vendet e Ulëta, 00800 33 86 70 50, crcnl@jaguarlandrover.com; Jaguar Land Rover BeLux, Generaal Lemanstraat 47, 2018 Antwerp, Belgjikë, 00800 33 86 70 50, crcbelux@jaguarlandrover.com; në emër të tij) mund të përpunojnë informacionet (duke përfshirë të dhënat personale) që keni ndarë në formularin e aplikimit dhe në lidhje me pjesëmarrjen tuaj (duke përfshirë videot e lidhura ose të dorëzuara, faqet e internetit, postimet/faqet në media sociale, etj.) për qëllimet e mëposhtme:

a) për të menaxhuar pjesëmarrjen tuaj në konkurs, duke përfshirë përcaktimin nëse përputhet me këta terma dhe kushte; dhe

b) për t’ju njoftuar nëse jeni një Konkurrent Lokal, Finalist dhe/ose Fitues. Nëse jeni një Konkurrent Lokal, Finalist dhe/ose Fitues, ju bini dakord që Organizatori, Importuesi dhe anëtarët e grupit (në veçanti Jaguar Land Rover Limited, MB; Jaguar Land Rover Austria GmbH; Jaguar Land Rover Italia S.p.A.; Jaguar Land Rover France; Jaguar Land Rover Espana S.L.U; Jaguar Land Rover Nederland; Jaguar Land Rover BeLux) mund të zbulojnë ose bëjnë të disponueshëm emrin tuaj, vendin/qytetin, imazhin dhe përmbajtjen e krijuar nga ju si përdorues nëse kërkohet; dhe

c) për t’i ndarë me organizatat që asistojnë në zhvillimin e konkursit dhe realizimin e çmimit (në veçanti Importuesi, Jaguar Land Rover Limited, UK; Jaguar Land Rover Austria GmbH; Jaguar Land Rover Italia S.p.A.; Jaguar Land Rover France; Jaguar Land Rover Espana S.L.U; Jaguar Land Rover Nederland; Jaguar Land Rover BeLux) dhe

d) për t’ju ftuar që të merrni pjesë në konkurse të ardhshme të organizuara nga Organizatori dhe/ose në aktivitete që lidhen me këtë konkurs. Baza ligjore për përpunimin e pikave a)-c) është neni 6 (1) b) i GDPR-së (kryerja e konkursit (zbatimi i kontratës) dhe për pikën d) interesi legjitim sipas nenit 6 (1) f) të GDPR-së për reklamimin e mëtejshëm, konkurset e ngjashme dhe formatet e aktiviteteve.

Mundësimi i të dhënave personale të kërkuara në formularin e aplikimit dhe të kërkuara më pas nuk parashikohet me ligj, por është e nevojshme për zhvillimin dhe pjesëmarrjen në konkurs. Pa mundësimin e këtyre të dhënave, pjesëmarrja në konkurs nuk do të jetë e mundur.

Emrat dhe të dhënat e kontaktit të pjesëmarrësve/konkurrentëve lokalë/fituesve të përdorur për këtë konkurs do të mbahen për një periudhë 18-mujore pas datës së mbylljes.

56. Të dhënat do të trajtohen në përputhje me (i) ligjet e zbatueshme për mbrojtjen e të dhënave në BE, duke përfshirë Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave ((BE) 2016/679) dhe në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë Ligjin për Mbrojtjen e të dhënave të vitit 2018 ose legjislacionet e mëpasshme; dhe çdo rregullore tjetër të BE-së për mbrojtjen e të dhënave, të zbatueshme drejtpërdrejt.

57. Për informacione të mëtejshme lidhur me mbrojtjen dhe përpunimin e të dhënave, të drejtat tuaja dhe transferimin e të dhënave te vende të treta nga Organizatori, ju lutemi t’i referoheni politikës së privatësisë së Organizatorit në adresën: https://www.landrover.de/privacy-policy/index.html. Nëse keni pyetje rreth përpunimit të të dhënave tuaja, kontaktoni dschutz@jaguarlandrover.com