PPSH

OPEN ALL
Çfarë është Defender Trophy?
Çfarë përfshin Konkursi dhe cili është Shpërblimi?
A është kjo një garë?
Kush mund të marrë pjesë?
Cilat janë kriteret e pranueshmërisë?
A duhet të jem atlet për të aplikuar?
Jam me aftësi të kufizuara/ndryshe, a mund të aplikoj?
A do të transmetohet në televizion?
Kur do të mbahet konkursi?
Ku do të mbahet finalja botërore?
Përse po e organizoni pikërisht tani?
Cilat vende do të marrin pjesë?
Unë jam nga një vend që nuk renditet më sipër. A mund të marr pjesë?
Sa fitues do të jenë?

JAGUAR LAND ROVER LIMITED

SFIDA DEFENDER TROPHY - TERMAT DHE KUSHTET

"

Këta Terma dhe Kushte (“Termat dhe Kushtet”) zbatohen ndaj Sfidës Defender Trophy (“Konkursi”), që do të mbahet ndërmjet muajit qershor 2025 dhe tetor 2026 (“Periudha e Konkurrimit”). Pavarësisht formës së zgjedhur të formulimit, Jaguar Land Rover u drejtohet të gjitha gjinive në mënyrë të barabartë në çdo kohë.


TERMAT DHE KUSHTET


1. Nëpërmjet përfshirjes në Konkurs, ju konfirmoni pranimin dhe dakordimin me Termat dhe Kushtet.


2. Konkursi promovohet nga AW Distribution Kft. (“Promovuesi”), një kompani e regjistruar në Hungari, me numër tatimor 10548938-2-44 dhe me seli në adresën: Szabadság utca 117/C, 2040 BUDAÖRS, Hungari. Kontakt: landrover.albania@autowallis.com


3. Këta Terma dhe Kushte zbatohen deri në masën e lejuar me ligj, prandaj, ju lutemi t’i lexoni me kujdes përpara përfshirjes suaj.


4. Termat dhe Kushtet rregullohen nga dhe interpretohen në përputhje me legjislacionin shqiptar. Palët bien dakord në mënyrë të pakthyeshme se gjykatat e Shqipërisë kanë juridiksionin ekskluziv për trajtimin e mosmarrëveshjeve apo pretendimeve të mundshme, që vijnë apo lidhen me këta Terma dhe Kushte dhe me Konkursin.


A MUND TË MARR PJESË NË KONKURS?


5. Pjesëmarrja në Konkurs është pa pagesë (nuk nevojitet blerje).


6. Në përputhje me pikat 7 dhe 9, Konkursi është i hapur për këdo që përmbush kërkesat e pranueshmërisë në pikën 8 më poshtë, që banon në Shqipëri në momentin e aplikimit në Konkurs dhe gjatë Periudhës së Konkurrimit.


7. Përpara aplikimit, ju lutemi të vini re:


a) Konkursi përfshin sfida jashtëzakonisht kërkuese fizikisht dhe mendërisht; drejtimin e automjeteve të Promovuesit, në të gjitha kushtet atmosferike; dhe sfida të tjera të paparashikuara, që mund të jenë jashtë kontrollit të Promovuesit, ku mund të ketë gjasa të qenësishme për dëmtimin e aplikantëve dhe pronës së tyre. Prandaj, nëse një pjesëmarrës përzgjidhet për të qenë pjesë e Konkursit, atij do t’i kërkohet të nënshkruajë deklarata dhe lejime (duke përfshirë, por pa u kufizuar, deklarata shëndetësore dhe lejim për përdorimin e imazheve); dhe


b) si pjesë e Konkursit, pjesëmarrësit duhet të jenë të përgatitur që të jetojnë në ambient të jashtëm për deri në 21 (njëzet e një) ditë bashkërisht me pjesëmarrësit e tjerë, në kushte atmosferike dhe mjedisore që mund të jenë të ashpra dhe të vështira;


c) Konkursi mund të jetë i papërshtatshëm dhe jo i rekomandueshëm për personat që vuajnë nga probleme me shpinën ose qafën apo zemrën (ose nga probleme shëndetësore të ngjashme). Gjithashtu, ai mund të jetë i papërshtatshëm për personat që janë shtatzënë. Promovuesi u rekomandon pjesëmarrësve që të kontrollohen nga një mjek ose profesionist mjekësor i kualifikuar, për t’u siguruar se janë në gjendje të mirë fizike dhe shëndetësore për të marrë pjesë në Konkurs përpara se të aplikojnë. Promovuesi mund të kërkojë prova të konfirmimit shëndetësor nga pjesëmarrësit; dhe


d) pjesëmarrësit duhet të jenë të përgatitur për të gjitha kushtet atmosferike dhe do të jenë përgjegjës për të siguruar veshjet e duhura, mjetet dhe pajisjet e nevojshme për skenarët e mundshëm ekstremë të motit (duke përfshirë, por pa u kufizuar: veshje kundra ujit, shtresa veshjeje të ngrohta, këpucë mbrojtëse dhe të përshtatshme për ecje dhe ngjitje, krem dielli, etj.). Promovuesi nuk do të jetë përgjegjës për sigurimin e këtyre artikujve.


KRITERET E PRANUESHMËRISË


8. Për të qenë i pranueshëm, çdo pjesëmarrës duhet:


a) të plotësojë formularin e aplikimit deri më 31 dhjetor 2025;


b) të jetë në gjendje të notojë të paktën 50 (pesëdhjetë) metra pa ndihmë dhe lehtësira;


c) të provojë se mund të komunikojë në anglisht, pasi ajo do të jetë gjuha e Konkursit, për të kuptuar udhëzimet e detajuara dhe për të ndarë komente dhe vërejtje me pjesëmarrësit e tjerë në situata që mund të jenë të rrezikshme, ku komunikimi i saktë, i menjëhershëm dhe i qartë është thelbësor;


d) të zotërojë përshtatshmërinë fizike dhe mendore të nevojshme për të përdorur një automjet motorik, si dhe një kapacitet të arsyeshëm fizik dhe mendor, pasi Konkursi përfshin një sërë sfidash që janë fizikisht dhe mendërisht kërkuese. Shikimi i pjesëmarrësit duhet të jetë në përputhje me kërkesat ligjore të zbatueshme për lejen e drejtimit në vendin e banimit;


e) të jetë të paktën 23 vjeç për shkak të kërkesave të sigurimit të Organizuesit dhe të ketë një leje drejtimi të vlefshme (kategoria B ose një leje drejtimi të huaj dhe të barasvlershme me të drejtat e duhura), të njohur ndërkombëtarisht. Pjesëmarrësve do t’u kërkohet të paraqesin lejen e drejtimit tek Organizuesi, ndaj duhet të sigurohen që ta kenë me vete në të gjitha aktivitetet e lidhura me Konkursin;


f) të kalojë me sukses kontrollin verifikues të lejes së drejtimit, që do t’u dërgohet pjesëmarrësve nëpërmjet linkut të internetit;


g) të jetë në gjendje të udhëtojë ndërkombëtarisht, nëse zgjidhet si Finalist (siç përcaktohet më poshtë);


h) të zotërojë një pasaportë ndërkombëtare të vlefshme dhe të mos ketë kufizime hyrjeje në vende të tjera, pasi finalja e Konkursit do të mbahet në një vendndodhje ndërkombëtare, që do të njoftohet nga Promovuesi gjatë Periudhës së Konkurrimit. Pjesëmarrësit e suksesshëm do të jenë përgjegjës për sigurimin e vizave dhe vaksinave përkatëse (duke përfshirë edhe dokumentet e tjera të kërkuara për të udhëtuar në destinacion); dhe


(i) të mos jetë me precedent penal.


9. Aplikantët e mëposhtëm nuk do të lejohen të marrin pjesë në Konkurs:


(a) nëse nuk përmbushin kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në pikën 8 më lart;


b) punonjësit (me pagesë për orë ose pagë fikse), kontraktuesit e pavarur apo praktikantët që punojnë për Promovuesin dhe/ose ortakët përkatës (duke përfshirë, por pa u kufizuar, Jaguar Land Rover Limited) në momentin e përfshirjes në Konkurs dhe gjatë Periudhës së Konkurrimit;


c) palët e treta, punonjësit (me pagesë për orë ose pagë fikse), kontraktuesit e pavarur, praktikantët ose vullnetarët që punojnë për apo që kanë lidhje me ndonjë nga kompanitë e përfshira kryesisht në prodhimin, shitjen ose shpërndarjen e automjeteve; dhe/ose


d) kushdo që aktualisht vuan nga një problem fizik apo mendor, që do t’i kufizojë apo cenojë vigjilencën ose aftësinë e drejtimit të mjetit.


10. Me hyrjen në Konkurs, pjesëmarrësit konfirmojnë se përmbushin kriteret dhe se janë të pranueshëm për të përfituar çmimin që mund të fitojnë. Vendimi për përmbushjen ose jo të kritereve të pranueshmërisë i përket vetëm Promovuesit, ndaj pranueshmëria mund të tërhiqet në çdo kohë gjatë Konkursit. Promovuesi mund të kërkojë prova ose konfirmim nga pjesëmarrësit përpara ndarjes së çmimeve.


11. Konkursi është i hapur nga data 1. shtator 2025 dhe mbyllet më 31. dhjetor 2025 (“Data e Mbylljes”), përfshirë këtë datë. Aplikimet e paraqitura pas Datës së Mbylljes do të skualifikohen automatikisht.


12. Pjesëmarrësit mund të paraqesin deri në 1 (një) aplikim të vlefshëm. Aplikimet shtesë nuk do të merren parasysh dhe nuk do të mund të jenë fituese.


13. Konkursi do të kërkojë akses te: një telefon celular; llogari e-mail; kompjuter dhe akses në internet - këto nuk do të mundësohen nga Promovuesi.


14. Promovuesi rezervon të drejtën të skualifikojë çdo aplikim që nuk përputhet me Termat dhe Kushtet apo nëse sjellja e një pjesëmarrësi bie ndesh me frymën ose synimin e Konkursit, gjatë gjithë Periudhës së Konkurrimit.


SI KRYHET APLIKIMI


15. Për të aksesuar Formularin e Aplikimit (siç përcaktohet më poshtë), të gjithë pjesëmarrësit duhet fillimisht të shprehin interesin e tyre duke plotësuar formularin e shprehjes së interesit “Më mbani të informuar”, të disponueshëm këtu: https://albania.landrover.com/contact-forms/keep-me-informed (“Shprehja e interesit”). Aplikimet mund të dorëzohen duke filluar nga data 19 qershor 2025. Pas dorëzimit të Formularit të Aplikimit, aplikantët e pranueshëm do të marrin një formular aplikimi të personalizuar. Ky formular aplikimi, duke përfshirë një komponent video (siç përcaktohet më tej në formularin e aplikimit në fjalë), duhet të dorëzohet brenda datës 31 dhjetor 2025. Pas kësaj date nuk do të pranohet asnjë dorëzim.


16. Promovuesi do të dërgojë një link për të marrë pjesë në Konkurs në adresën e e-mailit të përcaktuar nga pjesëmarrësi në formularin e Shprehjes së Interesit, brenda datës 31 dhjetor 2025.


17. Në varësi të pikave 15 dhe 16, të gjithë pjesëmarrësit e ftuar që të aplikojnë pas shprehjes së interesit të tyre duhet të plotësojnë formularin e personalizuar të aplikimit dhe ta dorëzojnë atë sipas mënyrës së njoftuar, brenda datës 31 dhjetor 2025.


18. Vetëm aplikimet që kanë përgjigje të plota, që janë plotësuar saktë dhe janë dorëzuar do të konsiderohen si aplikime të vlefshme.


19. Nëse, për ndonjë arsye, ndodh një ndërprerje teknike, avari pajisjesh, avari telefonie, avari rrjeti, serveri, pajisjeje kompjuterike apo programi softuerik ose siti apo problem postar dhe Konkursi nuk mund të zhvillohet sipas planit apo nëse aplikimet nuk janë marrë apo dorëzuar në mënyrë të vlefshme, apo nëse Çmimi (i përcaktuar më poshtë) paraqet probleme, Promovuesi rezervon të drejtën ta anulojë, ndërpresë, modifikojë ose pezullojë Konkursin, nëse është e nevojshme.


20. Promovuesi nuk merr përsipër asnjë përgjegjësi për aplikimet e paplota apo që humbasin, ngatërrohen, dëmtohen apo vonohen gjatë dorëzimit (pavarësisht shkakut) dhe këto aplikime nuk do të konsiderohen të vlefshme. Promovuesi nuk do të pranojë konfirmim dërgese apo transmetimi si provë të marrjes së aplikimit në Konkurs.


21. Pjesëmarrësit (dhe më pas “Konkurrentët Lokalë”), në asnjë moment gjatë Konkursit, nuk shfaqin apo publikojnë slogane politike ose gjuhë homofobe, imazhe me natyrë të papërshtatshme apo seksuale, imazhe me përmbajtje logosh të konkurrentëve dhe sponsorizime të qarta markash apo elemente të tjera të konsideruara si marketing konkurrues apo abuzim i Promovuesit dhe/ose Jaguar Land Rover Limited, përmbajtje shpifëse, fyese, të paligjshme, vulgare, ofenduese apo të papërshtatshme ose që cenon të drejtat e të tjerëve (duke përfshirë të drejtat e pronësisë intelektuale) apo që reflekton negativisht ndaj Promovuesit dhe/ose Jaguar Land Rover Limited. Çdo pjesëmarrës bie dakord dhe pranon se shkelja e kësaj pike do t’i shkaktojë Promovuesit dhe Jaguar Land Rover Limited dëme dhe humbje të konsiderueshme.


22.Promovuesi rezervon të drejtën ta anulojë, ndërpresë, modifikojë ose pezullojë Konkursin nëse është e nevojshme.


RAUNDI I PARË I KONKURSIT


23. Një grup i caktuar pjesëmarrësish, të cilët kanë plotësuar me sukses Formularin e Aplikimit dhe kanë dorëzuar videon e kërkuar, do të zgjidhet nga të gjitha aplikimet e vlefshme nga një panel ekspertësh, që përfshin profesionistë nga fushat e aktiviteteve dhe marketingut, pas përfundimit të procesit të aplikimit dhe jo më vonë sesa data 15 shkurt 2026 (“Konkurrentët Lokalë”).


24. Konkurrentët Lokalë të zgjedhur nga paneli gjykues do të jenë pjesëmarrës finalë.


25. Konkurrentët Lokalë do të kontaktohen me e-mail dhe/ose telefon sipas të dhënave të kontaktit të përcaktuara në Formularin e Aplikimit dhe do t’u kërkohet të konfirmojnë: se pranojnë ftesën për të konkurruar në Aktivitetin e Përzgjedhjes Lokale; se përmbushin kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në pikat 8 dhe 9 të këtyre Termave dhe Kushteve; dhe se janë të disponueshëm të konkurrojnë në Finalen Botërore (të përcaktuar në pikën 31). Nëse një nga Konkurrentët Lokalë nuk është në gjendje të konfirmojë ndonjë prej të dhënave të mësipërme brenda 14 (katërmbëdhjetë) ditëve nga kontakti, Promovuesi rezervon të drejtën t’ia refuzojë vendin në Aktivitetin e Përzgjedhjes Lokale dhe t’ia ofrojë atë një pjesëmarrësi tjetër, sipas gjykimit të vet të plotë.


26. Çdo pjesëmarrës ka përgjegjësinë të sigurohet se të dhënat e kontaktit të vendosura në Formularin e Aplikimit janë të sakta për njoftimin e përcaktuar në pikën 25 më lart.


27. Emrat dhe imazhi i Konkurrentëve Lokalë mund të shpallen publikisht sipas gjykimit të vetëm të Promovuesit.


28. Konkurruesve Lokalë do t’u kërkohet të marrin pjesë në Aktivitetin e Përzgjedhjes Lokale në datën që do të konfirmohet në Les Comes, Spanjë, ku do të marrin pjesë në një sërë sfidash aventureske.


29. Promovuesi do të mbulojë shpenzimet e mëposhtme të hasura nga Konkurrentët Lokalë në lidhje me Konkursin: fluturimet, akomodimin dhe vaktet, për sa kohë që tregohet qartë se lidhen me pjesëmarrjen. Promovuesi nuk do të jetë përgjegjës për asnjë shpenzim tjetër të lidhur me pjesëmarrjen në Aktivitetin e Përzgjedhjes Lokale dhe nuk do të jetë përgjegjës për organizimin e pjesëmarrjes.


FINALJA BOTËRORE


30. Konkurrentët Lokalë të suksesshëm do të zgjidhen si finalistë nga një panel gjykues ekspertësh në Aktivitetin e Përzgjedhjes Lokale (“Finalistët”). Finalistët zgjidhen sipas gjykimit të plotë të panelit të ekspertëve në përputhje me kriteret e tyre të përzgjedhjes dhe vendimi i marrë është përfundimtar.


31. Finalistët konkurrojnë në finalen botërore të Konkursit kundër finalistëve të tjerë nga mbarë bota në tetor të vitit 2026.


32. Të gjithë Finalistët do të konkurrojnë në ekipe në Finalen Botërore. Megjithatë, Finalistët do të gjykohen individualisht dhe jo si ekip. Formimi i ekipit do të vendoset nga Promovuesi. Promovuesi mund t’i ndryshojë anëtarët e ekipit në çdo kohë gjatë Finales Botërore.


33. Finalistët mund të eliminohen nga Finalja Botërore, sipas gjykimit të vetëm të panelit gjykues të ekspertëve, në çdo kohë. Asnjë nga Finalistët e eliminuar nuk do të ketë mundësi të konkurrojë në Finalen Botërore dhe as të fitojë Konkursin.


34. Promovuesi organizon të gjitha kushtet e nevojshme të udhëtimit dhe akomodimit, veshjet e posaçme, pajisjet teknike dhe organizimin dietetik/ushqimor për t’u bërë të mundur Finalistëve pjesëmarrjen në Finalen Botërore dhe mbulon kostot përkatëse (në varësi të politikës së udhëtimit dhe shpenzimeve të Promovuesit).


35. Në përputhje me pikën 34 më sipër, Finalistët janë përgjegjës për mbulimin e të gjithë artikujve dhe shpenzimeve të tjera, duke përfshirë, por pa u kufizuar: vizën përkatëse, pasaportën, vaksinimin, siguracionin për udhëtimin dhe kostot edhe shpenzimet shoqëruese. Finalistët pranojnë dhe bien dakord se Promovuesi nuk do të jetë përgjegjës për asnjë kosto dhe/ose shpenzim (përveç atyre të dakorduara në pikën 34) për pjesëmarrjen në Finalen Botërore.


FITUESIT DHE ÇMIMI


36. Në përputhje me pikën 33, fituesit do të zgjidhen prej Finalistëve të mbetur nga një panel gjykues ekspertësh në përfundim të Finales Botërore në Datën e Mbylljes (“Fituesi(t)”).


37. Në përputhje me pikën 32, Fituesit do të zgjidhen individualisht dhe jo si ekip. Me qëllim shmangien e dyshimit, nga një ekip mund të zgjidhen disa Fitues, por nuk do të shpallen Fitues të gjithë anëtarët e ekipit.


38. Fituesit e përcaktuar nga paneli gjykues i ekspertëve do të jenë përfundimtar dhe sipas gjykimit të vetëm të panelit.


39. Fituesit do të përcaktohen dhe shpallen në Finalen Botërore dhe çmimet do të ndahen personalisht. Fituesit mund të shpallen edhe nëpërmjet kanalit në YouTube “Defender” të Jaguar Land Rover Limited, sipas gjykimit të vetëm të Jaguar Land Rover Limited.


40. Çdo Fitues do të fitojë çmimin. Çmimi u ofron Fituesve mundësinë të marrin pjesë në një ekspeditë në vendin ku mbahet Finalja Botërore, si ekip, ku do të ofrojnë ndihmë thelbësore për kauza të rëndësishme, duke përdorur gjithçka që kanë mësuar gjatë Konkursit, në tetor të vitit 2026 (“Çmimi”).


41. Nuk ka çmime alternative dhe Çmimi është i patransferueshëm, i panegociueshëm dhe i parimbursueshëm në para. Çmimi nuk mund të pranohet nga një palë e tretë në emër të Fituesit.


42. Nëse Promovuesi zbulon se një Fitues është i papranueshëm apo se një Fitues ka shkelur ndonjë nga Termat dhe Kushtet, apo nëse dyshohet për lojë të pandershme ose sjellje joetike sipas Termave dhe Kushteve aktualë, atëherë Promovuesi rezervon të drejtën të mos ia akordojë Çmimin Fituesit dhe paneli gjykues do të zgjedhë si Fitues një Finalist tjetër.


43. Nëse Çmimi i ofruar nuk është i disponueshëm, anulohet ose pezullohet për shkak të rrethanave jashtë kontrollit të Promovuesit, atëherë Promovuesi nuk do të jetë në gjendje të ofrojë një alternativë dhe nuk do të ketë asnjë përgjegjësi të mëtejshme ndaj Fituesve. Fituesit nuk do të kenë të drejtë për asnjë kompensim monetar të barasvlershëm apo kompensim për kostot dhe shpenzimet e hasura ose të pësuara në lidhje me pranimin e Çmimit.


44. Fituesit pranojnë se Çmimi mund të anulohet ose pezullohet për çfarëdolloj arsyeje jashtë kontrollit të Promovuesit.


45. Në rast se një nga Fituesit nuk është në gjendje të pranojë Çmimin për arsye vetjake, duhet ta njoftojë Promovuesin menjëherë për këtë. Në këto rrethana, Promovuesi rezervon të drejtën t’ia ofrojë Çmimin një Finalisti tjetër. Promovuesi nuk pranon asnjë përgjegjësi nëse një Fitues e ka të pamundur të pranojë Çmimin.


46. Fituesit pranojnë dhe bien dakord se Promovuesi nuk do të jetë përgjegjës për asnjë kosto dhe/ose shpenzim (duke përfshirë, por pa u kufizuar, taksat) për pranimin e Çmimit.


47. Në të gjitha rrethanat, vendimi i Promovuesit është përfundimtar dhe nuk do të pranohet asnjë korrespondencë në lidhje me të.


48. Fituesit, në asnjë moment gjatë pjesëmarrjes në Çmim, nuk shfaqin apo publikojnë slogane politike ose gjuhë homofobe, imazhe me natyrë të papërshtatshme apo seksuale, imazhe me përmbajtje logosh të konkurrentëve dhe sponsorizime të qarta markash apo elemente të tjera të konsideruara si marketing konkurrues apo abuzim i Promovuesit dhe/ose Jaguar Land Rover Limited, përmbajtje shpifëse, fyese, të paligjshme, vulgare, ofenduese apo të papërshtatshme ose që cenon të drejtat e të tjerëve (duke përfshirë të drejtat e pronësisë intelektuale) apo që reflekton negativisht ndaj Promovuesit dhe/ose Jaguar Land Rover Limited. Çdo pjesëmarrës bie dakord dhe pranon se shkelja e kësaj pike do t’i shkaktojë Promovuesit dhe Jaguar Land Rover Limited dëme dhe humbje të konsiderueshme.


REGJISTRIMI DHE PUBLICITETI


49. Si kusht për hyrjen në Konkurs, të gjithë pjesëmarrësit do të duhet të shfaqen në fotografi dhe filmime promocionale nga Promovuesi gjatë dhe pas pjesëmarrjes së tyre në Konkurs dhe në Çmim dhe prandaj do t’u kërkohet të nënshkruajnë një deklaratë për materialet filmike, që do t’u shpërndahet të gjithë pjesëmarrësve/Konkurrentëve Lokalë nga Promovuesi gjatë ose përpara Aktivitetit të Përzgjedhjes Lokale. Me nënshkrimin e formularit, të gjithë pjesëmarrësit/Konkurrentët Lokalë bien dakord se Promovuesi ka të drejtën të përdorë të gjitha materialet publicitare përkatëse në çdo formë dhe mënyrë që Promovuesi gjykon të përshtatshme.


50. Të gjithë pjesëmarrësve do t’u kërkohet të dokumentojnë përvojën e tyre me procesin e Konkursit nga momenti i njoftimit për përzgjedhjen si Konkurrent Lokal deri në momentin e eliminimit nga Konkursi ose, nëse përcaktohen si fitues, deri në përfundim të Çmimit. Pjesëmarrësit duhet të dokumentojnë përvojën e tyre me procesin e Konkursit nëpërmjet fotografive dhe regjistrimeve video, që do të përdoren nga Promovuesi për të promovuar dhe paraqitur Konkursin, në çdolloj forme, në mbarë botën, në vazhdimësi (“Përmbajtja e Krijuar nga Përdoruesit”);


51. Në përputhje me pikën 50 më sipër, pjesëmarrësit dhe Fituesit bien dakord se Promovuesi dhe Jaguar Land Rover Limited do të kenë, dhe i japin Promovuesit dhe Jaguar Land Rover Limited të drejtën të kenë një licensë mbarëbotërore ekskluzive dhe të pakthyeshme ndaj Përmbajtjes së Krijuar nga Përdoruesit, për ta përdorur dhe autorizuar përdorimin e saj, në të gjitha format, duke përfshirë, por pa u kufizuar, në faqet e internetit dhe kanalet në mediat sociale të Promovuesit, Jaguar Land Rover Limited dhe shitësve të autorizuar franshizë të Jaguar Land Rover Limited (MEKTRIN MOTORS), Kompanisë lokale të shitjeve dhe importuesit (AW Distribution Kft.), në faqet e internetit të palëve të treta (ose pjesë të tyre) që janë nën kontrollin e Jaguar Land Rover Limited ose agjencive përkatëse (duke përfshirë, por pa u kufizuar Instagram, Twitter, TikTok dhe YouTube), rrjetet sociale dhe portalet dhe në aktivitetet e Promovuesit, Jaguar Land Rover Limited ose të shitësve të autorizuar franshizë përkatës apo në aktivitetet e mbajtura në bashkëpunim me partnerët e miratuar të Promovuesit) dhe deklaratat për shtyp në vazhdimësi.


PËRGJEGJËSITË


52. As Promovuesi, as Jaguar Land Rover Limited dhe as ortakët, agjentët, drejtorët, shitësit e autorizuar, franshizat, sponsorët apo punonjësit përkatës nuk do të mbajnë përgjegjësi (deri në masën e lejuar me ligj) për asnjë humbje, dëmtim apo lëndim, përfshirë vdekjen, ndaj një pjesëmarrësi dhe/ose pronës së tij, që vjen si pasojë e organizimit apo mbajtjes së Konkursit apo si pasojë e një Fituesi që fiton, merr pjesë, pranon apo përfiton Çmimin dhe/ose Konkursin, apo nëse Konkursi nuk zhvillohet sipas planifikimit.

Kjo nuk zbatohet për përgjegjësitë për (a) vdekjen apo lëndimin personal të shkaktuar nga neglizhenca e një prej palëve të mësipërme, (b) mashtrimin apo keqpërfaqësimin e rremë, (c) një çështje tjetër për të cilën do të ishte e paligjshme të përjashtohej apo të bëheshin përpjekje për të përjashtuar përgjegjësinë, (d) dëme që vijnë prej shkeljes neglizhuese të qëllimshme apo të rëndë të detyrës, apo (e) dëme që vijnë si pasojë e shkeljes së detyrimeve thelbësore kontraktuale, ku në këtë rast përgjegjësia kufizohet te dëmi i zakonshëm dhe i parashikueshëm. Çdo përgjegjësi tjetër përjashtohet. Të drejtat tuaja statutore nuk cenohen.


53. As Promovuesi dhe as Jaguar Land Rover Limited, apo ortakët, agjentët, drejtorët, shitësit e autorizuar, franshizat apo punonjësit nuk mbajnë përgjegjësi (deri në masën e lejuar me ligj) për asnjë kosto mjekësore, riatdhesimi apo shkakësore, që vjen nga sëmundja ose lëndimi i pjesëmarrësit, Fituesit, dhe/ose një pale të tretë gjatë procesit të Konkursit dhe/ose gjatë udhëtimeve të kërkuara.


54. Promovuesi mund t’i ndryshojë këta Terma dhe Kushte ose ta anulojë Konkursin sipas gjykimit të vet absolut dhe pa marrë përsipër përgjegjësi si rrjedhojë, përveçse kur Çmimi është akorduar.


PËRDORIMI I TË DHËNAVE PERSONALE


55. Nëpërmjet pjesëmarrjes në Konkurs, ju (qoftë si pjesëmarrës, Konkurrent Lokal dhe/ose Fitues) kuptoni se Promovuesi (dhe agjentët, kontraktuesit ose anëtarët e grupit në emër të tij) mund të përpunojnë, shpërndajnë dhe/ose përdorin informacionet (duke përfshirë të dhënat personale) që vendosni në Formularin e Aplikimit dhe gjatë procesit të aplikimit:


a) për t’u bërë të mundur që të administrojnë aplikimin tuaj në Konkurs, duke përfshirë edhe vendimmarrjen për përputhshmërinë me Termat dhe Kushtet aktualë;


b) për t’ju njoftuar nëse jeni një Konkurrent Lokal, Finalist dhe/ose Fitues. Në rast se shpalleni Konkurrent Lokal, Finalist dhe/ose Fitues, ju bini dakord se Promovuesi, sipas kërkesës, mund të shpallë ose të vendosë në dispozicion emrin tuaj, vendin/qytetin, imazhin dhe Përmbajtjen e Krijuar nga Përdoruesi;


c) për t’i ndarë me organizatat që ndihmojnë me zhvillimin e Konkursit dhe mundësimin e Çmimit; dhe


d) për t’ju ftuar që të merrni pjesë në konkurse të ardhshme të organizuara nga Promovuesi dhe/ose në aktivitete që lidhen me këtë Konkurs.


Baza ligjore për përpunimin e të dhënave personale në seksionet a) deri te c) është Neni 6(1)(b) i Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) - zbatimi i një kontrate, konkretisht ekzekutimi i Konkursit.
Për seksionin d), baza ligjore është interesi legjitim në përputhje me Nenin 6(1)(f) të GDPR, konkretisht promovimi i konkurseve dhe formateve të mëtejshme dhe të krahasueshme të aktiviteteve.
Mundësimi i të dhënave personale të kërkuara në Formularin e Aplikimit dhe informacioneve shtesë të kërkuara gjatë Konkursit nuk është i detyrueshëm me ligj; megjithatë, ai është i nevojshëm për pjesëmarrjen në Konkurs. Pa mundësimin e këtyre të dhënave, pjesëmarrja nuk do të jetë e mundur.


Emri dhe informacioni i kontaktit i Pjesëmarrësve/Konkurrentëve Lokalë/Fituesve, i përdorur për qëllimet e Konkursit, mbahet për një periudhë prej [12] muajsh nga Data e Mbylljes.


56. Të dhënat do të trajtohen në përputhje me (i) legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave në fuqi në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë Ligjin për mbrojtjen e të dhënave të vitit 2018 apo legjislacionet pasuese; dhe (ii) për sa kohë dhe deri në masën që legjislacioni i BE ka efekt ligjor në Mbretërinë e Bashkuar, në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave ((BE) 2016/679)), dhe çdo rregullore tjetër të BE që ka të bëjë me privatësinë, të zbatueshme drejtpërdrejt.


57. Për informacione të mëtejshme mbi mënyrën e trajtimit të të dhënave nga Promovuesi, ju lutemi t’i referoheni Politikës së Privatësisë së Promovuesit: https://www.jaguarlandrover.com/privacy.


58. Nëse keni pyetje për mënyrën e trajtimit të të dhënave tuaja, ju lutemi të kontaktoni landrover.albania@autowallis.com.

"